Altin Dumani.
TIRANË – Me 5 vota pro, Altin Dumani zgjidhet kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai pason Arben Krajën, i cili ishte në krye të SPAK për 3 vite. Në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorimeve ndodheshin përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues të ambasadës Amerikane, përfshirë ambasadoren Yuri Kim.
I pari që u intervistua nga KLP-ja ishte Adnan Xholi i cili tha se ai do të çojë para drejtësinë jo mbi bazën e opinioneve, por mbi bazën e fakteve.
Në të njëjtën linjë ishte dhe prokurori Altin Dumani, i cili tha se në punën e tij nuk kanë shumë rëndësi emrat, por faktet.
I fundit u mor në pyetje kandidati Edvin Kondili, i cili deklaroi se do të angazhohej në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që në ditën e parë të marrjes së detyrës nëse do të zgjidhej në krye të SPAK.
Arben Kraja, përmes një mesazhi në Twitter i uroi sukses 3 kandidatëve duke shtuar se Prokuroria e Posaçme do vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe më të lartë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

