KRUJË– Një protestë është zhvilluar ditën e sotme në Krujë kundër Nikolin Lleshit, për mashtrimin që ka bërë me banesat ne kompleksin më të madh në qytet, sipas banorëve.
Banorët pretendojnë se Lleshi ka mashtruar me banesat dhe i ka rishitur ato nga 2 herë.
Më herët banorët kanë protestuar edhe në Tiranë dhe kanë kërkuar një takim me Artan Lamen, kreun e Kadastrës i cili është shprehur për situatën “juve ua kanë futur krutanët”.
Sipas burimeve për Pamfleti, “në vitin 2006, Arben Kupi, i lidhur me Nikolin Lleshin, ka nisur të ndërtojë një kompleks pallatesh në Krujë, përmes firmës së këpucëve ‘Golden Shou’.
Gjatë kësaj periudhe, Kupi ka lidhur kontrata për persona të ndryshëm, të cilët kanë porositur blerjen e apartamenteve. Disa kontrata i ka lidhur në vitin 2009, edhe më familje të cilat e kishin shitur truallin për të ndërtuar pallatet.
Tre vite më pas, të gjithë ndërtesat karabina të pallateve, bashkë me truallin, Arben Kupi ia shet Nikolin Lleshit. Ky është momenti kur Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Krujës, kishte marrë vendim për t’i prishur ndërtesat, pasi ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe pa një leje të zbardhur.
Nga ana tjetër, personat që kishin porositur apartamentet, të cilat Arben Kupi ia ka shitur për herë të dytë Nikolin Lleshin, sigurisht me dijeninë e tij dhe në bashkëpunim, refuzojnë prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Arben Kupi dhe pazarin e tij me Nikolin Lleshin.
Disa nga personat që kishin pronotuar apartamentet kanë paguar edhe një pjesë të parave”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

