Enkeleida Hoxha. Foto arkivë.
TIRANË– Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, është dënuar ditën e sotme nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me 3.6 vite burg.
Prokuroria e Posaçme kërkoi 3.6 vite burg për gjyqtaren, por trupa gjykuese e GJKKO-së, vendosi që ta dënonte me 3 vite, ndërkohë që Hoxha gjithashtu përfiton edhe nga gjykimi i shkrutuar që shkurton 1/3 e kohës që duhet të qëndrojë pas hekurave të burgut. Kështu që Hoxha do të qëndrojë vetëm 2 vite e burgosur, ndërsa sa i përket avokatit të saj, Aldo Tabaku, është dënuar me 4 vite burg, pasi u gjet i fajshëm në rolin e sekserit.
Ndërkohë ish-gjyqtarja e ka konsideruar një sulm politik nga kryeministri Edi Rama, procesin gjyqësor në ngarkim të saj. Në seancën e sotme në GJKKO, Hoxha tha se hetimi ndaj saj nisi menjëherë pasi u cilësuar si monstër nga ana e kryeministrit. Në vijim Hoxha kërkoi pafajësi ndaj akuzave të ngritura ndaj saj.
Hoxha u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha, me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

