GJIROKASTËR– Policia e Gjirokastrës ka arrestuar ditën e sotme 4 të rinj në kuadër të operacionit të koduar “Road Guard 35”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Enxhi Tabaku, 22 vjeç dhe Sirjano Vogli, 21 vjeç, të dy banues në Krujë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, duke transportuar me automjetin tip furgon, 9 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Gjithashtu u ndaluan shtetasit M. A., 21 vjeç dhe A. M., 18 vjeç, të dy nga Pakistani, pasi nga veprimet hetimore rezulton se janë organizatorë të veprimtarisë kriminale të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, të 4 këtyre shtetasve iu gjetën, në automjet dhe në çantën e dorës, si dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin këta shtetas, sasia e lëndës së dyshuar narkotike kanabis, një shumë parash dhe 4 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

