Pamjet gjatë arrestimit të 45-vjeçarit.
PUKË– 3 persona janë arrestuar nga Policia e Pukës në kuadër të operacionit të koduar “Laku”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit Lavdi Salaj, 45-vjeç, djali dhe nipi i tij, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç, të tre banues në Nikël, Krujë.
Nga veprimet e kryera në kuadër të operacionit të koduar “Laku”, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar, në një zonë të pyllëzuar në vendin e quajtur “Laku i Palucajve”, në territorin e fshatit Qafë-Mali, 527 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

