Foto ilustruese. Pamjet arkivë.
KRUJË– Policia e Krujës ka finalizuar operacionin e koduar “Reagimi”, në kuadër të të cilit është arrestuar një 29-vjeçar dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. M., 29 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi J. S., 36 vjeç, banues në Mamurras, Laç. Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur një 29-vjeçar (të dënuar më parë për vjedhje), pasi pretendonin se u kishte vjedhur sende në banesat e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit të arrestuar K. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, si dhe konstatuan se 29-vjeçari mbante aktive në celularin e tij, faqe online për vënien e basteve sportive.
Vijon puna për kapjen e shtetasit J. S. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

