Ored Bylykbashi në një prononcim për mediat gjatë ditës së sotme.
TIRANË– Grupi i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike ka dorëzuar ditën e sotme në Kuvend projekligjin për hartën e re të Reformës Territoriale.
Sa i përket projektligjit të depozituar nga PD për 94 bashki, Bylykbashi shprehet se ka vetëm pak ndryshime mes njëra-tjetrës dhe ekziston mundësia që të gjendet gjuhë e përbashkët.
Kështu nënkupton se e mbështesin edhe propozimin e grupit të Alibeajt. Por në rast se këta të fundit bashkojnë votat me PS për 61 bashki të propozuara nga mazhoranca, Bylykbashi thotë se nuk do të japin votën e tyre.
“Të gjithë ne duhet të respektojmë interesin e komunitetit. Ndarja territoriale nuk mund të jetë interes i ngushtë politik, por themelor i demokracisë në shqipëri. 61 bashki nuk janë vetëm të pamjaftueshme, por dështim. Asnjë gjë që lëviz dukshëm nga propozimi ynë nuk merr votën tonë. Unë gjykoj që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që i shërbejmë interesave të qytetarëve”, tha Bylykbashi.
Ndër të tjera, Bylykbashi u shpreh se reforma e vitit 2014 ka ndikuar në shpopullim ndaj janë kundër propozimit të PS, ndonëse Taulant Balla ka thënë shpesh se ekspertët i kanë sugjeruar që është ndarja më e mirë territoriale me 61 bashki,
“Reforma e 2014 ka provuar se është dështim lapidar me kosto të madhe për zhvillimin e bashkive dhe komuniteteve, faktor i shpopullimit. Jemi përpjekur të marrim interesat më të mira. Të zgjedhurit të jenë pranë zgjedhësve, pushteti vendor të jetë efikas. Propozimi është që zgjedhjet e ardhshme të bëhen në bazën e kësaj ndarje me 97 bashki. Numri i bashkive që propozojmë është ai që i jep hapësirën më të madhe komuniteteve lokale. S’ka rëndësi çfarë mendon qeveria, por çfarë duan njerëzit atje poshtë. Reforma e vitit 2014 ka provuar në të gjithë aspektet e saj që të jetë një dështim lapidar me kosto të madhe. Njerëzit janë larguar se nuk ka më shërbime. Propozimi ynë do të ndjekë rrugën legjislative, kërkon 84 vota. Në këtë moment propozojmë 97 bashki dhe kushdo që nuk e mbështet këtë ndarje në parlament, nuk ka interesat e qytetarëve.
Është një tjetër draft me 94 bashki, mundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët është aty sepse parimet dhe kriteret që kemi përdorur në aspektin e ekspertizës dhe konsultës kanë provuar të njëjtin rezultat. Unë besoj që është shumë e thjeshtë që në procesin legjislativ të gjejmë një version përfundimtar. Më e rëndësishmja është të jenë komunitetet që e ndjejnë veten të përfillura”, tha Bylykbashi.
I pyetur përse nuk ia kanë dalë që të bashkohen për të shkuar nismë të përbashkët, Bylykbashi shprehet se kolegët zgjodhën që të shkonin me projektligjin e tyre. Megjithatë nuk mungon shpresa që të gjejnë dakordësi për opozitën.
“Në këtë fazë ne morëm kohën dhe për të bashkëbiseduar me kolegët. Kolegët zgjodhën që të shkohet me një projektligj të tyrin, por ka vetëm pak ndryshim mes tyre. Besoj se mund të gjejmnë një version të përbashkët për tu dakordësuar me mazhorancën. Ne kërkojmë të bëhet lustracion. Hapësira për dakordësi është e plotë. Në 2 rastet, PD kërkon lustracion dhe të mos jenë 61 bashki, por 94”, tha Bylykbashi.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

