Foto nga protesta e zhvilluar më 23 qershor 2022 në Gjykatën e Krujës.
TIRANË– Ndryshimi i hartës së re gjyqësore ka marrë miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.
Në letrën dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se vlerësojnë frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuara.
“E vlerësojmë si nevojë emergjente për përmirësimin e funksionalitetit, eficencës dhe efektivitetit në sistemin e prokurorisë”, shkruhet në letër.
13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.
KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

