KRUJË- Gjurma e shenjtit Sarisalltik ndodhet veçse disa kilometra pa hyrë në qytetin e Krujës, teksa rruga gjarpëron përmes pishave. Në vitin 1967, teqeja u fshi nga faqja e dheut, e po ashtu vendi brenda saj, aty ku njihet si gjurma, u mbulua… për t’u rindërtuar e hapur sërish në vitin 1992.
Sari Salltiku njihet ndryshe edhe si “Shenjti me tri varre”, pasi pelegrinazhe të tilla bëhen te varri i Sari Salltikut në majën e Pashtrikut në Kosovë, në Teqenë e Sari Salltikut, në malin mbi Krujë dhe në Qafën e Zhurit. Të tjera burime thonë se “Shenjti ka shtatë varre”, madje, ajo më e besueshmja thuhet se varri i tij gjendet në kishën e Shën Naumit, në brigjet jugore të liqenit të Ohrit, e kjo mbështetet edhe nga gjeografi dhe studiuesi maroken Ibn Battuta, (1304-1377), i cili ka pohuar se në çdonjërin prej tyre, gjenden pjesë të trupit të martirit. Teqeja, ku ndodhet gjurma e shenjtit, quhet ndryshe edhe teqeja e “Haxhi Shajnit”, një objekt i shenjt i fesë bektashiane, apo ndryshe edhe “Gjurma e shenjtit”, ku turistë të shumtë, por edhe njerëz që nuk i përkasin këtij besimi, shkojnë për pelegrinazh apo për kuriozitet në këtë vend.
Shpella e burimi i ujit, në “Malin e Sarisalltikut”
Mali i Sarisalltikut është i lartë 1176 metra, i cili arrihet përmes hiking, por edhe me rrugën automobilistike, në gjendje të mirë, por përplot me kthesa, e tejet e ngushtë.
Të dyja mezi gjenden realisht… pasi nuk para ekzistojnë tabela informuese në hyrje për të treguar, drejtimin e duhur. Megjithëse, njerëzit janë të gatshëm të të ndihmojnë, duke e mbyllur bisedën me “Zoti të ndihmoftë!”, – ndryshe nga legjendat që i tregojnë njëri ndryshe, e tjetri, diçka më ndryshe… Rrugën e vjetër ku sot ngjitesh përmes një shtegu të ngushtë, me siguri e ka përdorur dikur edhe studiuesja e Ballkanit, Edith Durham, por thuhet se edhe Skënderbeu e përdorte këtë mal sipër Krujës, për sulmet kundër taborëve osmane. Prandaj edhe ky mal njihet ndryshe si Mali i Skënderbeut. Në të vërtetë, burimi i vetëm i ujit të ftohtë akull gjendet veçse në shpellën e Sari Salltikut, në atë që quhet Maja e Liqenit, pasi mali i Krujës është tejet i thatë nga burimet ujore, si për ironi të faktit se Kruja e Skënderbeut përballoi plot 3 sulme nga osmanet, veçse duke shfrytëzuar Burimin e Taslloit.
Sari Salltëku, sipas legjendës, kishte qenë një dervish i thjeshtë, që kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër, kishte “shtëpinë” në shpellën majë malit. Kuçedra kërkonte nga qyteti t’i sillnin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua.
Dervishi i moshuar, me mjekër të bardhë, ishte dukur të ecte kalldrëmeve të qytetit me një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri, dëshmi e misionit të paqes. Legjenda thotë se i kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sy përlotur po i ngjitej malit për t’u flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zhele, nuk e trembi vajzën. Pasi dervishi, mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për te kuçedra. Vendi ishte tharë nga fryma përcëlluese e kuçedrës. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga prej andej gurgulloi, uji i freskët. Fati i betejës dihet, me shpatën e drunjtë, dervishi plak, i preu kuçedrës shtatë kokët, që villnin kob e gjëmë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte aty, në shpellën, majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, vetëm me katër hapa, arriti Korfuzin. Gjurmët duken edhe sot e kësaj dite në Fushë-Krujë, Shijak dhe Durrës…
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e GazetaSI
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

