KRUJË– Kanë dalë pamjet e operacionit të zhvilluar ditën e djeshme nga Policia e Krujës, në kuadër të të cilit janë arrestuar 5 persona dhe shpallur në kërkim 2 të tjerë.
Si rezultat, në zonën e mbrojtur mjedisore Krastë, u evidentua një tunel (ish-tunel i ushtrisë), në një zonë të vështirë kalimi, i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të operacionit, falë punës hetimore, mbështetur dhe në inteligjencën policore, u identifkuan dhe u arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar, shtetasit H. S., 61 vjeç dhe R. H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A. S., 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. S. ushtronte edhe veprimtrainë e paligjshme të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve hetimore u konstatua se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
Për këtë arsye u bë arrestimi i punonjëve së OSHEE-së, shtetasve O. F. dhe E. H., me detyrë punonjes të OSHEE-së Fushë Krujë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, shtetasi S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së (i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri) dhe shtetasi E. K., me detyrë elektricist i zonës.
Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

