KRUJË– Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me arrestimin e Ramazan Rrajës.
Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Komploti”, është arrestuar në një lokal në zonën e Fushë Krujës, me pistoletë në brez, me fishek në fole, gati për qitje, shtetasi Ramazan Rraja.
30-vjeçari, që nga momenti i shpalljes në kërkim, nuk është larguar në asnjë moment jashtë shtetit, por fshihej në trekëndëshin “Durrës – Lezhë – Tiranë”.
Në momëntin e kapjes, mbrëmjen e sotme, 30-vjeçari Ramazan Rraja shoqërohej me një shtetas tjetër, në kërkim nga Policia e Elbasanit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.
Strukturat operacionale dhe ato hetimore të Policisë së Shtetit, në kuadër të procedimit penal për zbardhjen e atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoj, si dhe në zbatim të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga SPAK, pas caktimit nga Gjykata, të masës së sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin Ramazan Rraja kanë vijuar kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Komploti”, të zhvilluar në janar të vitit 2023, nga Policia e Shtetit, për kapjen e 30-vjeçarit, strukturat operacionale dhe ato hetimore të Policisë së Shtetit dispononin informacion se shtetasi Ramazan Rraja, aktualisht fshihej në zonën e Krujës.
Bazuar në këto informacione, mbrëmjen e sotme, në vijim të operacionit policor të koduar “Komploti”, u kap në një lokal në zonën e Fushë Krujës dhe u vu në pranga shtetasi i shumëkërkuar Ramazan Rraja, 30 vjeç.
Në vijim të këtij operacioni është kapur dhe vënë në pranga edhe shtetasi L. K. alias E. Ll., 39 vjeç, i cili shoqërohej me shtetasin R. Rr. dhe që ishte shpallur në kërkim në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, nga Policia e Elbasanit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim. 39-vjeçari do t’i dorëzohet Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

