Bizneset rikuperuan shpejt fitimet në vitin 2021, pas rënies që u shënua gjatë pandemisë në 2020-n. Por viti 2022 ka sjellë vështirësi të reja, që nga rritja e kostove në gjithë zinxhirin nga lëndët e para te produkti final, shtrenjtimi i energjisë për sipërmarrjet që e blejnë në tregun e lirë e deri te problematikat që po sjell mungesa e fuqisë punëtore.
Ndërtimi dhe koncesionet mbeten ndër sipërmarrjet me norma më të larta fitimi në vend, duke fryrë një model ekonomik, i cili premton pak për të ardhmen. Industria përpunuese, në mbijetesë nga shtrenjtimi i lëndëve të para dhe energjia, ndërsa produktiviteti mbetet i ulët.
Si çdo vit, Revista Monitor publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2021 ishte 117 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro), me një rritje prej 40% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm, kur sipërmarrjet vuajtën pasojat e pandemisë, me uljen e konsumit që e shoqëroi, dhe mbylljes disamujore të vendit.
- Fushë-Krujë Cement Factory
Fushë-Krujë Cement Factory renditet e para në Bashkinë Krujë dhe e 77 në listën e 200 kompanive me më shumë fitime në vend.
Kjo kompani e specializuar në prodhimin e cementes dhe gëlqeres, ka pasur të ardhura në vitin 2021 7.7 miliard lekë dhe fitim para taksave 411 milion lekë me një normë prej 5.3 përqindësh.
Kjo kompani ka pasur ulje të fitimit para taksave krahasuar me vitin 2020 me më shumë se dyfishin.
- Bami
Bami SHPK, një kompani me fokus ndërtimet civile dhe industriale, renditet e dyta në Bashkinë Krujë dhe e 101 në listën 200 kompanive me më shumë fitime në vend.
Gjatë vitit 2021, Bami SHPK, ka pasur të ardhura prej 1.6 miliard lekësh dhe fitim para taksave prej 343 milion lekësh me një normë fitimi prej 20.5 përqind.
Bami ka pasur një rritje të ardhurash krahasuar me vitin 2020 dhe fitim para taksave krahasuar me vitin 2020 me pothuajse +50 përqind.
- Qafshtama
Kompania e Ujit Qafshtama, renditet e 3 në Bashkinë Krujë dhe e 137 në listën e 200 kompanive me më shumë fitime në vend.
Kjo kompani me fokus amballazhimin dhe tregimtin e ujit mineral, ka pasur të ardhura në vitin 2021, prej 741 milion lekësh dhe një fitim para taksave 244 milion lekë, me një normë fitimi prej 32.9 përqind.
Ashtu si edhe Bami SHPK, edhe Qafshtama ka pasur një rritje karahasuar me vitin 2020, prej gati 45 përqind
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

