KRUJË– Aksi rrugor Krujë- Fushë Krujë nuk është në planet e ARRSH-s për tu rehabilituar.
Kruja.info kontaktoi me ARRSH-n nëpërmjet rrugëve zyrtare dhe na vunë në dijeni se ky aks është në inventarin e rrjetit rrugor kombëtar që administrohet nga ARRSH me Nr. SH 38, e cila aktualisht nuk ka një projekt për rehabilitim të plotë.
Rruga është nën kontratë mirëmbajtjeje dhe përsa i perket punimeve që përfshihen në këtë kontratë nga Mbikqyrësi i kontratës së mirëmbajtjes, informohemi se: Segmenti rrugor fillon në degezimin e Unazës Veriore të Fushë-Krujës dhe përfundon në km 8.9 ne Qytetin e Krujës.
Aktualisht mirëmbahet nga kontraktori “Kombeas” sh.a me administrator Mëhill Nreca, adresa: Rr. “Dod Lleshi”, Fshati Prozhme, Nipt: K 88103301 J, Milot. ARRSH, justifikohet duke thënë se krahas punimeve rutinë të mirëmbajtjes në këtë segment rrugor është ndërhyrë në qeshor të vitit të shkuar, me punime pjesore rehabilitimi në përmirësimin e gjendjes së shtresave asfaltike, rifreskimin e sinjalistikës rrugore etj.
Gjithashtu ARRSH thotë se në këtë segment rrugor qarkullojnë mjete me peshë maksimale të autorizuar më të madhe se ajo për të cilën janë llogaritur shtresat rrugore duke bërë kështu uljen e jetëgjatësisë së shtresave rrugore.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

