
DURRËS- Banorët e qytetit të Durrësit që jetojnë pranë varrezave kanë dalë në protestë këtë të shtunë. Kjo për shkak të zgjerimit të varrezave. Ata thonë se Bashkia duhet të ndërtojë të paktën një mur rrethues.
“Varret po na mbysin, kërkojmë një mur rrethues, të vijnë ta piketojnë, dhe nëse nuk ka fonde e bëjmë dhe vetë. Ne kemi që në vitin 1990 këtu, nuk mund të jemi pjesë e morteve çdo ditë, djali im 3 vjeç zgjohet natën me makthe. Unë e kam blerë tokën në vitin 1990, ka pasur mur rrethues, dhe ndaj e kemi bërë shtëpinë.”- ka thënë një prej banorëve për Fax News.
Sipas tyre bashkia u kishte premtuar se nuk do të kishte zgjerim të varrezave pa ndërtuar murin rrethues, premtim i cili nuk është mbajtur.
“Kështu si e kanë nisur këta nuk iu dalin as kodrat e kallmit, ne kërkojmë që të bëhet një mur rrethues që të mos shikojmë kush varroset dhe kush jo. Varrin e parë kanë ardhur dhe e kanë bërë me polici këtu. Ka ndejtur policia këtu derisa është groposur robi.”-tha banori.
Shqetësimi kryesor i këtyre familjeve padyshim që ka të bëjë me mirëqënien e fëmijëve të tyre.
Ndërkohë, një tjetër ka thënë:
Ne kemi ardhur për një jetë më të mirë, i kemi 20 metra larg, kam 15 fëmijë, se jam edhe gjysh edhe bab. Apeli im është që duhet ta kuptojë vetë shteti që kjo gjë nuk mund të bëhet. Duhet të ketë një kufi.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."