
Kampi i muxhahedinëve në Manzë, Durrës. Pamjet arkivë.
DURRËS– Pas paralajmërimeve për sulme të mundshme terorriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3”, është shtyrë.
Lajmi u bë i ditur nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, i cili thotë gjithashtu se Samiti do të jetë i shtyrë deri në një moment të dytë me rekomandim të qeverisë shqiptare për arsye sigurie nga kërcënime terroriste.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se Samiti botëror i Iranit të lirë që do të mbahej në zonën e Manzës në Durrës, në kampin “Ashraf 3”, ku gjendet i strehuar një numër i lartë pjesëtarësh të lëvizjes opozitare iraniane, Mojahedin-e-Khalq (MEK), mund të ishte objekt kërcënimesh.
Në një njoftim, Ambasada bënte të ditur se “qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm i cili ka në shënjestër takimit botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”.
Ndërkohë, qytetarët amerikanë u udhëzuan që ta shmangin këtë ngjarje dhe të monitorojnë mediat.
Ditët e fundit Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka ushtruar kontrolle në banesat e disa prej ish anëtarë të MEK-ut duke sekuestruar materiale të ndryshme të gjetura në to. Kontrollet mendohet se janë kryer në kuadër të hetimeve ndaj një rrjeti të mundshëm spiunazhi të kamufluar nën aktivitetin e një shoqate që propagandonte se synonte bashkimin e iranianëve dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve. Deri më tani nuk është njoftuar zyrtarisht ndalimi i asnjë personi.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."