
DURRËS– Shkarkimi i përgjegjëses së sektorit të sportelit të Agjencisë së Kadastrës së Durrësit, Albana Gjoni ka krijuar vështirësi për qytetarët e Durrësit, të cilët duan të pajisen me dokumentet e legalizimit, kontratat e shitjes etj.
Kjo agjenci e Kadastrës në këtë qytet ndodhet në situatë të vështirë për shkak se po kërkohet shkrirja kësaj agjencie për shkak të shkeljeve të shumta të konstatuara nga autoritetet shtetërore.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kërkuar shkarkimin e të gjithë zyrtarëve të kësaj kadastre për shkak të abuzimeve në dokumentacione.
“Pra praktikisht, ne i kemi referuar Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shkrirjen e kësaj drejtorie. Nga drejtori i ASHK-së Durrës, tek përgjegjësi i sektorit të hartografisë, specialist i hartimit të hartografisë, përgjegjësi i sektorit të kalimit të pronësisë dhe dhjetë specialistë të kësaj drejtorie. Janë 215 dosje legalizime objektesh që janë marrë në shqyrtim nga inspektorët tanë vetëm për periudhën gusht-tetor 2021, ku ka rezultuar se këto dosje mungonin dokumentacionet që kërkon ligji. Një praktikë pune abuzive dhe fiktive pa vetëdeklarime, pa akte evidentimi në terren, pa kartela të pasurisë apo statusit juridik të pronës, pa harta tregues dhe një sërë shkeljesh të tjera”, është shprehur ministri Manja.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."