
Një pallat i pashembur në Krujë. Pamjet arkivë.
KRUJË– Teksa kanë kaluar tre vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, shumë banorë që janë pjesë e rindërtimit ende nuk kanë marrë ende një zgjidhje.
Një banor i Krujës, shprehet për Faktoje se edhe pse kanë kaluar 3 vite ai jeton me qera sëbashku më dy fëmijët, gruan dhe prindërit.
“ Jemi detyruar të ndahemi në dy shtëpi të ndryshme me qera pasi shtëpitë që arritëm të gjenim ishin të vogla 1+1 dhe nuk mund të jetonim 6 persona. Marrim 200 mijë lekë në total qera për një familje, por ndërkohë paguajmë dy qera. Vështirësi e madhe, me frikë rrimë çdo muaj presim bonusit. Shyqyr ka kaluar. Unë kam pasur një shtëpi 2 katëshe në Krujë, po u bë e pabanueshme nga tërmeti. Më thanë që do të përfitoj grant. Pas shumë procedurash dhe pagesash jam ende në pritje që të përfitoj grantin dhe të bëj shtëpinë”.
Berti është në pritje të grantit, por ai ka dhe një tjetër frikë. Shuma e parave që do të mund të përfitojë nga granti nuk i përgjigjet çmimit të lartë të materialeve të ndërtimit që i duhen për banesën.
Foto 26.05.2022, pallat i dëmtuar nga tërmeti në Krujë, ende nuk është shembur
Në një komunikim që Faktoje, pati me Përgjegjësin për Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun, Xhuliano Kafexhiu, ne kërkuam të mësojmë arsyet e vonesave në procesin e rindërtimit në Krujë.
Xhuliano tregon se Bashkia Krujë është një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti në vendi ku përshfihet Thumana, Bubqi, Fushë-Krujë dhe Krujë.
“Menjëherë pas tërmetit u realizuan studime ku mund të përcaktoheshin lagjet e reja për të realizuar rindërtimin. Në Fushë-Krujë, Thumanë dhe Bubq u gjetën hapësira kurse për pjesën e Krujës u pa mundësia që të ndërtohej lagjja e re. Por për shkak të terrenit malor dhe mungesës së një terreni të përshtatshëm në madhësinë që nevojitej u studiuan 2-3 zona ku mund të ndërtohej. Këto zona ishin shumë jashtë qytetit dhe zona më e prekur sidomos me pallate ishte në zemër të Krujës dhe nuk mund të largonim banorët nga qendra e qytetit dhe të shpopullonim qendrën. Më pas u studiua që do realizojmë pjesën e shembjes vetëm në zonën ku është goditja më e madhe me dëme dhe do vazhdojmë ndërtimin aty ku ishin pallatet më përpara. Kjo mori kohën e vetë, pandemia po ashtu ndikoi në krijimin e vonesave.
Foto 26.05.2022 në qytetin e Krujës, vendi ku po ndërtohen pallatet pjesë e procesit të rindërtimit
Më tej Kafexhiu shprehet se aktualisht ka nisur procesi i rindërtimit të pallateve në Krujë me njësi zbatuese Fondin Shqiptar të Zhvillimit, por kanë hasur probleme me shpronësimet. Kjo pasi sipas tij qytetarët e Krujës kanë pasur shtëpi të vjetra dhe nuk i kanë regjistruar.
“Gjithë procedura e verifiikimit të pronave, kalimit dhe regjistrimit të tyre ka vonuar, për ti dhënë pronarëve dokumentacionin që ti shpronësojmë për efekti të rindërtimit. Ne së shpejti presim një VKM për shembjet e fundit që do bëjmë që janë rreth 4 pallate 2-3 katëshe dhe rreth 3 shtëpi që nuk i shmangim dot pasi janë ngjitur me pallatet që po rindërtohen. Këto do të trajtohen patjetër me ligjin e shpronësimit, pra kemi ndjekur marrëveshjen me të gjithë banorët për ti ofruar metra katror të banesat që po rindërtohen aty ose pagesë dëmshpërblimi me çmimin e referencës që është nxjerrë nga qeveria në bazë të metra katrorëve që ato kanë”.
Foto 26.05.2022, pallat i përfshirë në procesin e rindërtimit në Krujë me njësi zbatuese FSHZH
“Po ndërtohen rreth 26 pallate, por për shkak të terrenit të vështirë, ka disa kompozime që disa pallate janë të mëdha në gjatësi dhe mund të jenë 2-3 pallate në 1. Rreth 2-3 pallate aktualisht është mbyllur struktura dhe po punohet me pjesën e mureve. Ndërkohë pjesa tjetër po presim shpronësimet që të vijojmë. Ndërsa përsa i përket rindërtimit të banesave individuale, shumë banorë kanë kërkuar që ti ndërtojnë shtëpitë aty ku i kanë pasur. Ndaj ne po lidhim kontrata individuale, për të vazhduar me procedurën e përfitimit të granteve. Prej tërmetit me banorët e prekur është lidhur bonusi i qerasë i cili do të vazhdojë deri sa të futen në shtëpitë e reja. Shumica janë sistemuar të familjarët, në shtëpi me qera të gjetura në krujë, fushë-krujë, kamëz, Tiranë, sicili familjar sipas nevojave të tij personale”, tregon Xhuliano.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."