
TIRANË– Bordi i Transparencës ka vendosur që të mbajë në monitorim miellin, vajin, sheqerin dhe orizin si dhe të caktojë një çmim tavan për shitjen e tyre.
Kështu nga sot, në të gjitha dyqanet, 1 kg sheqer do të blihet me një çmim jo më të lartë se 123 lekë; 1 kg oriz 104 lekë si edhe 1 kg miell do të shitet jo më shtrenjtë se 90.5 lekë.
Ndërkohë, 1 litër vaj luledielli do të kushtojë jo më shumë se 321 lekë. Vendimi është marrë ditën e djeshme, por Bordi i Transparencës zgjodhi që t’i bënte publike 1 ditë më pas. Në vendimin e marrë është përcaktuar qartë edhe mazhi i fitimit, shumicë dhe pakicë për të gjitha këto produkte.
“Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.
c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg”, thuhet në njoftim.
104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)
123 lekë/kg për sheqerin (1 kg)
321 lekë/litër për vajin e lulediellit
90.5 leke/kg për miellin masiv
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."