Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takohen të hënën për herën e tetë, në mbledhjet e përbashkëta tradicionale mes dy shteteve.
Takimi këtë herë do të mbahet në Prishtinë.
Në njoftimin dërguar mediave nga Qeveria e Kosovës, thuhet se pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Rama bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, do të mbajnë konferencë për media.
Veç tjerash, në këtë mbledhje pritet të prezantohen: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.
Policia e Kosovës, në njoftimin për media, ka thënë se me ardhjen e përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, disa rrugë të kryeqytetit nuk do të jenë të lira për qarkullim në intervale të shkurta kohore gjatë ditës së hënë.
Lehtësimi i qarkullimit
Lehtësimi i qarkullimit ishte në fokus të takimit fundit mes dy vendeve, i cili u mbajt në nëntor të vitit 2021.
Lehtësimi i qarkullimit, në fokus të takimit Shqipëri – Kosovë
Në mesin 13 marrëveshjeve të nënshkruara vitin e kaluar, ishin edhe lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes dy vendeve dhe njohja e diplomave.
Por, marrëveshjet e nënshkruara ndër vite mes dy vendeve konsiderohen vetëm si marrëveshje në letër, pasi shumë nga to nuk gjejnë zbatim.
Në vitin 2020 u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.
Marrëveshjet vetëm në letër midis Kosovës e Shqipërisë
Në mbledhjet e mbajtura deri më tani janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje.
Përgjatë viteve kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
Por, në tetor vitit 2021, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive.
Më shumë se 60 për qind e të anketuarve kishin deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme.
Bashkimi i tregut të punës Kosovë – Shqipëri
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2013 ishin dakorduar për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
“Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy shteteve tona”, thuhej në njoftimin e para nëntë viteve.
Mbledhja e parë mes dy qeverive ishte mbajtur në vitin 2014.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."