
Foto nga Komisariati i Policisë nr.3. Pamjet Dojsa.
TIRANË– Dy ngjarje ku protagonistë kanë qenë punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sipas komunikatave zyrtare, një efektiv vetëm 25-vjeç, ka qëlluar për vdekje me 6 plumba kolegun e tij, ndërsa një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka qëlluar ndaj një 60-vjeçar me probleme të shëndetit mendor, i cili ka mbetur i plagosur.
Efektivi 25-vjeçar Ludjan Zaimi qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55-vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20 në ambientet e brendshme të komisariatit, konkretisht në zyrën e instruktazhit, pak para se të merrnin turnit. Ata janë konfliktuar edhe më herët, teksa referuar dëshmisë së 25-vjeçarit, thotë se e qëlloi “pasi e tallte prej kohësh”.
Zaimi ka 1 vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, e ndërsa viktima Çaush Saliasi mbi 20 vite karrierë me uniformat blu. Gjatë mbrëmjes së shkuar, në komisariatin Nr. 3 mbërriti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, si edhe një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Po mbrëmjen e djeshme, në zonën e ish-Kombinatit në Tiranë në rrugën “Llazi Miho” në ambientet e jashtme të një lokali, Lutfi Gjyla, 48-vjeç, punonjës i FNSh-së, në gjendje të dehur ka qëlluar ndaj Murteza Lika, 60-vjeç, i cili mbeti i plagosur në këmbë .
60-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor, ndërsa është konstatuar i plagosur nga banorët e zonës. I plagosuri u dërgua në spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lutfi Gjyla, efektivi i FNSh-së, mësohet të ketë rreth 25 vite punonjës policie.
Ngjarja e së hënës pason një tjetër ngjarje kriminale brenda Komisariatit. Bëhet fjalë për vdekjen e dyshimtë të ndodhur në Komisariatin e Kavajës, të Ilvi Metës, teksa në atë të Kamzës u dogj një i paraburgosur.
Për dy ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e shkuar, AMP ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e ngjarjeve ku janë të përfshirë punonjës policie.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."