
KRUJË– Një 20-vjeçar është rrëmbyer në Krujë dhe është dhunuar nga një shtetas tjetër.
Policia njofton se ka finalizuar operacionin e koduar “Krasta”, në kuadër të të cilit është arrestuar një 22-vjeçar për heqje në mënyrë të paligjshme të lirisë për motive të dobëta.
Burime për Kruja.info bëjnë të ditur se i arrestuari është shtetasi Drilon Hoxha, 22-vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ky shtetas kishte marrë në automjetin e tij tip Audi, 20-vjeçarin B. A., banues në Fushë-Krujë, duke e çuar në një vend të pyllëzuar në Krastë, të cilin, më pas e ka goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Shtetasi Drilon Hoxha i ka marrë shtetasit B. A. edhe telefonin që ky i fundit kishte në përdorim.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip Audi, që drejtohej nga shtetasi Drilon Hoxha, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, telefoni, që i përkiste shtetasit B. A.
Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe Vjedhja me dhunë“.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."