
Nga Xhesjon Zogu – Publikuar Kruja.info
Vetëm pak ditë më parë, Ujësjellësi i Krujës së bashku me të Shijakut, Durrësit, Kavajës dhe Rrogozhinës i kaloi në varësi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me drejtuese Belinda Ballukun. Ujësjellësi prej vitesh të tëra ka qenë një problem i theksuar i komuniteteve urbane por edhe atyre rurale në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë, dhe gjithashtu një premtim i stërlodhur i drejtuesve vendorë.
Kur erdhi momenti që “pilafi nuk mbante më ujë”, qeveria, pushteti lokal dhe faktorët ndërkombëtarë filluan seriozisht investimet në këtë sektor. Balluku bëri një lëvizje të bukur, e cila me gjasa do të pasojë edhe të tjera. Kur ky sektor ishte për të ardhur keq, qeveria ia la pushteti lokal për të nxjerrë ato keq e për të pasur dikë për të fajësuar. Tani që investimet u rritën dhe ka shpresa për një përmirësim të situatës por jo zgjidhje, Balluku e merr vetë në dorë situatën duke e monopolizuar këtë sektor të rëndësishëm. Atëherë kur të ardhurat do rriteshin dhe do i shërbenin komunitetit në projekte të ndryshme, çdo gjë i kalon Ballukut. Çfarë rastësie apo jo? Këtë me gjasa Balluku e ka vjedhur nga Erion Veliaj.
Për ta parë më mirë se sa të tallur jemi, mjafton të shohim që rrugët po hapen për së dyti për të futur tubacionet ndonëse duhet të ishte bërë që në fillim. Ky fakt ka 2 anë, tallje dhe abuzim. Tallje për punë të bëra shkel e shko dhe abuzim me fondet e vjedhura sepse në ato rrugë që po rihapen, duhet të ishin futur edhe tubacionet.
Për ta parë më mirë se sa të tallur jemi, mjafton të shohim heshtjen e gjithkujt, degëve politike, ekspertëve, shoqërisë civile në zonë, a thua se si për dreq, edhe po të mos duash të bëjnë të mendosh që këto po na tallin bashkarisht 24 orë në ditë në 7 ditë të javës.
Për ta parë më mirë se sa të tallur jemi, mjafton të shohim që në zgjedhjet e ardhshme do premtohet sërish ujë 24 orë në ditë, sepse deri më tani e kanë pasur fajin pushteti vendor do thotë Balluku.
Ajo që mua më shqetëson dhe revolton nuk janë më talljet e njëpasnjëshme të eksponentëve të ndryshëm, po heshtja. Heshtja e personave me ndikim publik, heshtja e deputetëve, heshtja e gjithësecilit në Krujë për një temë të prekshme si uji apo e çfarëdoqoftë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."