
Nga Xhesjon Zogu | Publikuar Kruja.info
Vetëm disa ditë më parë, zyrtarë të Partisë Demokratike në Krujë, propozuar në kuadër të Reformës Territoriale ndarjen e Krujës në dy bashki, përkatësisht Bashkia Krujë dhe ajo Fushë-Krujë. Ky është një propozim i gabuar për interesa të caktuara, të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi. Ajo që është shqetësuese është ngritja e këtij propozimi deri në Kuvend apo komisione të caktuar, pa baza.
Vetëm duke parë propozimin e cili thotë se Bashki Krujë duhet të përbëhet nga Njësia Administrative Thumanë, Krujë dhe Cudhi, e bën këtë propozim qesharak dhe injorant, duke pasur parasysh se një ndër arsyet që kërkohet kjo ndarje, është për shkak të largësisë gjeografike të qytetarëve për të aksesuar shërbimet. Pra, një person në Thumanë, duhet të kalojë nga Fushë-Kruja ose Thumanë e Droje, për të marrë një shërbim në Krujë, ndërsa një person në Fushë-Krujë, sipas PD e ka më larg për të marrë një shërbim në Krujë se sa ai i Thumanës. Propozim komik e qesharak në maksimum.
Krijimi i dy bashkive nuk ka asnjë anë pozitive, por vetëm negative. Në këtë artikull do të listoj dy prej arsyeve kryesore pse ky propozim është i pavend:
- Ndarja në dy bashki ul investimet në secilin qytet. Kjo për faktin se Fushë-Kruja nuk ka asnjë atraksion apo burim të ardhurash të cilat mund të rrisin investimet apo të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Nga ana tjetër, Kruja, nëpërmjet Muzeut, bizneseve apo atraksioneve turistike, mbledh më shumë të ardhura. E njëjta Reformë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, uli të ardhura dhe si rezultat Bashkitë ofrojnë më pak shërbime për qytetarët.
- Krijimi i dy bashkive do të monopolizonte votën dhe pushtetin lokal. I gjithë territori i Bashkisë Krujë, aktualisht ka rreth 80 mijë banorë, ndarja në dy bashki do të rriste rrezikun e monopolizimit të votës dhe rriste shancet për abuzime, sepse do ishin grupime të vogla dhe të kontrollueshme.
Njësia Administrative e Fushë-Krujës, ka aktualisht institucione të cilat kryejnë shërbimet e caktuara për qytetarët, e këtu duhet të sjellim në vëmendje edhe kalimin e të gjitha shërbimeve online. Nga ana tjetër, ky propozim nuk është konsultuar me qytetarët dhe nuk është studjuar në aspektin e funksionalitet dhe dobishmërisë. Kjo e bën akoma e më shqetësuese këtë propozim.
Disa pyetje për të kuptuar këtë gafë të PD janë se si lindi ideja e këtij propozimi? A e di kjo strukturë që qytetarët kanë vështirësi në akses dhe çfarë roli do luante një Bashki tjetër? A bëhet kjo për të kontrolluar votën dhe për të nënshtruar votuesit? A është ky një kurban i PD për të bindur veten se mund të selektojë zonat demokrate për të fituar vota? Unë besoj që përgjigjja është pyetja e fundit!
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."