
Nga Xhesjon Zogu – publikuar Kruja.info
Debatit mbi propozimin e deputetëve të Partisë Demokratike për ndarjen e Krujës në 2 bashki, i është bashkuar edhe kryebashkiaku Artur Bushi.
Vetëm pak ditë më parë, teksa njoftoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” përfundimin e një investimi në Krujë, Bushi shtoi një koment edhe për debatin mbi ndarjen e Krujës.
“Këto investime, janë fryt i reformës administrative, ku bashkitë kanë kapacitete më të mëdha investuese!”- deklaroi Bushi. Nëpërmjet kësaj deklarate, kryebashkiaku duket se ka shprehur qëndrimin e tij kundër propozimit të Partisë Demokratike.
Ashtu sikurse e kam theksuar në një shkrim timin disa kohë më parë, ndryshe nga çfarë thotë PD, ndarja në 2 bashki nuk sjell të ardhura më të mëdha por i zvogëlon ato në maksimum.
“Ndarja në dy bashki ul investimet në secilin qytet. Kjo për faktin se Fushë-Kruja nuk ka asnjë atraksion apo burim të ardhurash të cilat mund të rrisin investimet apo të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Nga ana tjetër, Kruja, nëpërmjet Muzeut, bizneseve apo atraksioneve turistike, mbledh më shumë të ardhura. E njëjta Reformë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, uli të ardhura dhe si rezultat Bashkitë ofrojnë më pak shërbime për qytetarët.”- ishte ajo që unë deklarova në një shkrim të mëparshëm.
Duke parë që deri më tani të gjithë janë kundër këtij propozimi qesharak, iu bëjmë thirrje deputetëve të PD që të tërhiqen nga ky propozim dhe të bëjnë opozitën e vërtetë për të cilën kemi më shumë se kurrë nevojë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."