
Iliaz Bakiu.
Nga Iliaz Bakiu – Publikuar Kruja.info (Redaktuar)
Kruja jonë në vetvete ka vlera të mëdha historike, kulturore dhe qytetarie. Mjafton të themi se është Qytet Hero dhe Qytet Muze! Vizitat e organizuara patriotike në Krujë nga të gjitha trevat shqipfolëse e diaspora si dhe “lumi” i pashtershëm i turistëve nga gjithë Bota dëshmojnë se tashmë është krijuar një traditë e dobishme, e cila sa vjen po rritet e shumëfishohet. Kryefjala është SKËNDERBEU dhe periudha e Tij e lavdishme!
Gjithnjë më ka ngacmuar idea që ky aset historik e kulturor të shoqërohet edhe me boom ekonomik për qytetarët e Krujës. Për këtë postim sot mora nxitje nga një pyetje, e bërë në fb: “Po qe se do të të telefonte zoti Edi Rama, çfarë do t’i kërkoje?”. Shumë shkurt bëra këtë kërkesë: Të lidhet Kruja me Tiranën me një rrugë të re me këtë itinerar: Krujë-Kroi i Fokës-Zgërdhesh(Albanopolis)- disa fshatra të Rrancisë së Krujës e Tiranës dhe direkt në Tiranë! Gjithsej 18 km! Pa shumë vepra arti dhe në një terren pa aksidente gjeologjike!
Një fjalë goje: Një rrugë e re! Jam i vetëdijshëm se duhen bërë studime të sakta fizibiliteti nga specialistët e fushës, duhet parë leverdis ekonomike dhe lehtësia e lëvizjes! Natyrisht, ka një kosto ashtu siç duhet edhe vullnete të mira! Unë jam thjesht një dashmirës për këtë problem! Janë të tjerë ata që janë promotorë dhe vendimmarrës! Jam i bindur se deputetët e qarqeve Durrës e Tiranë si dhe bashkitë përkatëse kanë argumenta pro dhe kundra këtij projekti!
Unë do të përpiqem të jap argumentat e mia, pro:
- Së pari, në qytetin e Tiranës- metropol i Shqipërisë- sot banojnë me mijëra familje me origjinë nga Kruja: janë mbi 180 mbiemra fisesh nga Kruja! Ardhja e tyre në Tiranë ka ndodhur këta 150 vitet e fundit!
- Së dyti, qyteti i Krujës ka potenciale të mëdha si arsye për ta vizituar! Në Krujë është Muzeu Kombëtar i Skënderbeut; Kruja ka një Muze Etnografik shumë të pasur; mali i Krujës është një atraksion më vete, përfshirë edhe teqenë e Sarisalltikut; brenda në qytet janë mbi 20 teqe të tjera si dhe xhamia e vjetër; Kruja ka afër Qafë-Shtamën me ujin e klimën kurative. Për të gjitha këto, sot e kësaj dite prandaj vizitohet Kruja! POR… me rrugën e re, Kruja bëhet lehtësisht më e vizitueshme!
- Së treti, krutanët historikisht janë dalluar si punëdashës ( në bahçet e tyre gjeje gjithçka!), krutanët janë miqësorë, mikpritës e bujarë si dhe duartë në dhjetra zeje! Vetë qyteti është “strukur” brenda pyllit të ullinjëve shekullorë me gjelbërim të përjetshëm! Tek Monumenti i Skënderbeut lartësia mbi nivelin e detit është 675 m! Jo më kot Kruja thirret “Ballkoni i Adriatikut”! Kush nuk do të donte të flejë një natë të freskët në Krujë apo të shijonte perëndimin e Diellit mbi Adriatik duke e soditur atë me horizont aq të shtrirë siç ta jep mundësinë qyteti i Krujës!
- Së katërt, vetë Albanopolis është një aset që ka potenciale të fjetura historike dhe kulturore, zgjimi i të cilave do ishte një arsye më tepër pse duhet ndërtuar kjo rrugë e re që lidh direkt Krujën me Tiranën!
- Së pesti, lehtësimi i ardhjes me rrugën e re ( Tiranë-Krujë) duke shmangur Fushë-Krujën, Rinasin, Vorën apo Kamzën do të nxiste një punësim të fuqishëm duke zgjeruar rrjetin e restoranteve në qytet, në mal dhe në Qafë-Shtamë, sidomos me krijimin e një traditë të re: ngritjen e bujtinave!
- Së gjashti, kjo rrugë e re do të ketë një impakt shumë efikas pozitiv për të gjithë zinxhirin e fshatrave të Rrancisë të Krujës e të Tiranës, ku plantacionet me vreshta, ullinjë, agrume e arrorë po shtohen gjithnjë e më shumë! Të mos lë pa përmendur se pjesa më e madhe e kësaj rruge kalon mespërmes masivit të pyllit të pishave!
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."