
Ilir Meta gjatë Konvetës Kombëtare të "Partisë së Lirisë" më 25 korrik 2022.
Nga Xhesjon Zogu | Publikuar Kruja.info
Ilir Meta, ndonëse paradite deklaroi se nuk do të merrte drejtimin e LSI-së, në darkë, konfirmoi ndryshimin e emrit të kësaj force politike, si dhe marrjen e drejtimit të saj. Meta, preku tema të ndjeshme publike, të “një atdheu në rrezik” dhe të interesave të Kosovës, apo për “një bandë e cila në 5 vite realizoi një grusht shteti me procedura”, pa harruar të akuzojë Bashën dhe Berishën, duke ju referuar këtij të fundit “non grata”.
Për Metën, situata politike aktuale është një favorit shumë i madh, të cilën do ta kishte zili edhe djalli. Një boshllëk i madh opozitar ka gjasa të mbushet pikërisht nga Meta. Teksa PD është e ndarë dhe asnjëra pjesë nuk duket premtuese, opozitarët do ta gjejnë veten në “Partinë e Lirisë”. Edhe vetë emri që ka zgjedhur Meta, duket se ka bërë një miksje midis “Rithemelimit” dhe “PD”, ku kjo e fundit është akuzuar për pengmarrje nga ish-kryedemokrati Basha.
Më shumë se sa rikthim, ky është një kthim i Ilir Metës. Meta ka zgjedhur të jetë një drejtues i opozitës dhe mbi të gjitha i vetëm. Demokratët e zhgënjyer dhe ata që thonë se “ja iku Rama, kush do të vijë?”, janë “gjahu” i përkryer dhe shumë i thjeshtë i një politikani si Meta. Pra, në një mënyrë ose tjetër, kjo është fitorja e parë e Ilir Metës pas kthimit.
Ajo që Meta nuk heq dot nga supet ndryshe nga politikanët e tjerë, janë akuzat e dokumentuara dhe korrupsioni i bërë ndër vite. Kjo është njolla e cila do të shoqërojë Metën, ndonëse në Shqipëri çudia zgjat vetëm 3 ditë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."