Big Brother, për kah mënyra se si asht konceptue, asht nji eskperiment social interesant ku testohet në limite qenia njerëzore. Për nji periudhë kohore të caktueme, mbrenda 4 mureve e nên disa direktiva të jashtme që jepen prej “Vëzhguesit”, të përzgjedhunit e eksperimentit shfaqin sjellje e ndiesi të ndryshme, tue ia përshtatë ato situatave që krijohen, hera-herës tue dalë edhé prej vetes. Për kët lloj ekperimenti social ka folë shkrimtari britanik George Orëell qysh në vjetin 1948 në librin me titull “Nineteen Eighty-Four” (1984), në të cilin trajton si temë kryesore rreziqet e totalitarizmit, tue dashtë me përcjellë te lexuesi nivelin ekstrem të kontrollit dhe pushtetit të mundshëm nên nji regjim vërtetë totalitar dhe se si ndikon nji sistem i tillë në shoqninë dhe njerëzit që jetojnë në tê. Mândej, në vjetin 1999, në Hollandë, ky eksperiment social erdhi në format televiziv të titulluem Big Brother.
Në Shqipni, ndryshe prej vendeve të tjera të Europës – ku me aq info sa kam, asht nji ndër emisionet mâ pak të ndjekuna – pjesë e Big Brother-it nuk janë konkurentët e përzgjedhun e të dakortësuem për t’u izolue për 3 muej, por pjesa tjetër që i ndjek prej jashtë. E thânun ndryshe, në eksperiment vendoset shoqnia shqiptare, kurse të përzgjedhunit janë vetëm mjeti/karremi për me ja mbrritë ksaj gjâje. Kjo në fakt asht problematika mâ shqetësuese ku shum prej nesh duhet me kthye sytë e vêmêndjen.
Fenomeni Big Brother asht kampioni mostër mâ i mirë prej së cilës munden me u nxjerrë lehtësisht faktorët se pse vendi ynë sot po përjeton kët hemoragji të madhe largimesh të qytetarëve të tij. Edhé pse nuk e ndjek kët emision, si shkak i reklamimit dhe i reagimeve në masë që ka rreth tij, si në rrjete sociale, ashtu edhe ndër tavolina, jam mundue me kênë vigjelinet kundrejt situatës sociale që shkakton ky fenomen televiziv. Ajo se çka kam konstatue asht se: Ne vazhdojmë me kenë nji shoqní e dhunshme, jo sepse jemi nji shoqní e izolueme e pa kontakt me shoqnitë e emancipueme, por sepse ne e duem dhunën; prej shekujsh e kemi idealizue atë, i kemi thurë lavde e kângë dhe e kemi përligjë si njësi matëse për me vlerësue nji individ të arritun, ndaj ajo vazhdon me kênë organikisht pjesë e jona. Mbi kët priambul ngrihen të gjitha problematikat e tjera shoqnuese. Tue u nisë prej ksaj logjike e tue e lidhë me fenomenin Big Brother, ajo çka asht shqetësuese për mue, e njikohësisht edhe e trishtë e shpresëmbytëse, asht konstatimi i randësisë që i jepet ktij formati (veçanërisht personazheve të tij), tue mbrritë deri aty sa me u boshatisë rrugët e qyteteve në oraret kur ai transmetohet, si dhe i disa reagimeve të tmerrshme e të dhunshme në rrjete sociale që vinë kryesisht prej asaj shtrese që në parim pretendohet se duhet të jenë ata që përcjellin ide, dituni, kulturë, zhvillim etj. Pikërisht kët shtresë kam preferue me mârrë si etalon matës.
Të bân përshtypje komportimi i tyne deri në tifozllek të verbtë me disa personazhe kokurentë që nuk përcjellin asnji lloj vlere etike e intelektuale. Kam lexue komente vulgare e denigruese kundrejt nji X-konkurenti shkrue prej drejtorë shkollash, mësuesish apo edukatore kopshtesh; statuse prej punojësish social që promovojnë haptazi situata ordinere bullizuese dhe tallëse që një konkurent bân kundrejt konkurentit tjetër; vajza dhe grá në karrierë që shprehin gjuhë urrejtjeje kundrejt nji konkurenteje vajzë apo grue; si dhe mâ paradoksalja, të rij që aspirojnë që nesër me aderue në politikë, të cilët, me idenë e mbrojtjes së nji vlerë morale të shkelun prej nji Y-konkurenti, e ofendojnë kët të fundit publikisht (madje edhé me fjalor banal), tue dashtë me i tregue se asht nji “fundërrinë e shoqnisë sonë” me sjelljen apo gjestin e tij. Prá hajni të akuzon për hajdut. Ndërkohë që duhet të ishte kjo shtresë, e cila, në bllok, duhet të reagote fort kundrejt asaj çka po përcjell ky format, i cili, jo vetëm që nuk përçon asnji vlerë, por shkon deri aty sa luen me kët shtresë tue i trajtue ata si pjesëmârrës, mbasi, me indikatorët matës që ata kanë mbi reagimet mbështetëse të kësaj shtrese, i vendos të gjith direktivat e shoë-t simbas shijeve dhe asaj çka vetë publiku i jashtëm don.
Kjo shoqní e lavazhueme kah trutë, e cila pretendon se ia ka dalë me ja kuptue hilen ktij formatij, asht në të vërtetë ajo që i mban ato personazhe mbrênda, por jo me vota telefonike. Kjo asht mâ se normale për formatin, mbasi qëllimi i tyne janë klikimet e të ârdhunat mârramêndëse që fitohen prej tij, e jo në vetvete eksperimenti social (i cili do ishte i kândshëm për t’u ndjekë), por s’mund të jetë normale në nji shoqní që vërtetë mendon se duhet me shkue para. E prá, ktyne individëve profesionistë që përbâjnë kët shtresë ne u kemi besue arsimimin, zhvillimin, mbrojtjen dhe emancipimin e shoqnisë sonë. Atashimi i tyne me masën e gjânë, tregon se, edhé pse prej vitesh familjet shqiptare investojnë në shkollimin e fmijëve të tyne, ajo çka ka mbrritë me dalë prej ksaj “fabrike të madhe” janë vetëm njerëz të formuem kah ana teknike, të cilët e shtrijnë jetesën e tyne në hapsina urbane, por kurrsesi individë të formuem e qytetarë, prej të cilëve duhet me ârdhë qytetnimi, e si rrjedhojë edhé civilizimi. Kët e ka nuhatë mâ së miri edhé pushteti qeverisës, të cilit, mâ shum se akujt, i shkon përshtat kjo tymnajë sociale, mbasi skandalet e tij bombastike as nuk i afrohen skandaleve që prodhon ky format.
Big Brother-i nuk asht thjesht nji lojë në kandvështrimin tonë, e cila mund të shijohet pa u përfshî shpirtnisht e prej të cilës mund të nxirren mesazhe të randësishme, por asht mnyra jonë e jetesës e futun mbrênda 4 mureve, te e cila apo te personazhet e së cilës gjejmë krejt lehtësisht vetveten. Nesë ka nji arsye se pse duhet ndjekë ky format me familjen, asht që prindt me u tregue dhe me u lânë me kuptue fmijëve të tyne adoleshentë se cilët janë në të vërtetë “idhujt” e tyne dhe se kush asht diferenca mes tyne dhe modeleve të shëndetshme që ata realisht duhet me ndjekë.
Ky format nesër ka me mbarue e të gjith të ashtuquejtunit “personazhe publik” që janë bâ pjesë e tij – nji pjesë e të cilëve kishin dalë prej skenës publike e nji pjesë që s’i njeh askush duen me u bâ pjesë e saj me imponim – do të sistemohen me kontrata e punë të mira, e kjo falë nesh, ndërsa shoqnia jonë, ka me vazhdue rrugën e saj drejt zgripit nëse nuk do të mendojmë seriozisht me u zgjue e me u shkundë prej ksaj letargjie sociale ku kemi përfundue.
Deri at’here, shikim të kandshëm…. Yjeeeee………
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."