
Banorët e Rinasit kanë bllokuar rrugën që çon drejt aeroportit “Nënë Tereza”, pasi nga 1 maji kjo rrugë është bërë me një sens lëvizje.
Ata kanë marshuar në rrugë duke bërë bllokimin e lëvizjes, ndërkohë që ka pasur momente përplasje me policinë, teksa në vend ndodhen prani të forcave “Shqiponja” dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Një banor protestues tha për MCN TV se iu është vështirësuar jeta dhe iu është penalizuar lëvizja ditore, qoftë edhe për dërgimin e fëmijëve në shkollë, pasi duhet t’i bien qark për të shkuar në destinacion.
Na ka bllokuar ne familjarëve. Duhet t’i biesh qark me rrugë alternative, duhet të bëj 25 kilometra më shumë. E gjithë lagja nuk ka faj.
Një tjetër banor tha se nuk duhet të bllokohet rruga për aeroportin, por as të bllokohet jeta e qytetarëve.
Çfarë kanë dashur qeveritarët e kanë marrë, na kanë prerë në besë. Është ditë Bajrami! Harram, mos i zëntë Bajrami tjetër ishalla”.
Një protestues tjetër tha se me devijimin që i bëhet rrugës, gjysma e fshatit është bllokuar dhe se duhet të bëjnë 25 kilometër më shumë.
Bllokimi i rrugës na pengon shumë pasi duhet të çojmë fëmijët në shkollë dhe duhet të dalim në Vorë, Qafë Kashar për të çuar djalin në shkollë.
Po ashtu banorët paralajmërojnë vijimin e protestave pa afat, teksa 400 familje janë të penalizuara nga ky devijim që i bëhet rrugës.
Banorët protestues kërkojnë që të gjendet zgjidhje duke e cilësuar vendimin si të nxituar dhe se nuk janë marrë parasysh nevojat e komunitetit.
Si devijohet rruga
Në rrugën që të çon drejt Aeroportit të Rinasit, pas periudhës së Covid 19, është rritur edhe fluksi i fluturimeve, si pasojë edhe qarkullimi i mjeteve, duke sjellë probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar. Ndodhur në këtë situatë, duke filluar nga data 01.05.2022, me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur, që: Për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndryshim të qarkullimit.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."