KRUJË– “Andrra e jetës”, revista më e re letrare në Shqipëri vjen në një kohë, kur hapësirat për studiuesit dhe krijuesit e rinj janë të pakta. Me pasionin e jashtëzakonshëm për të bukurën estetike e shpirtërore, në detyrën e dijedhënëses, pasi ka mbaruar shkëlqyeshëm studimet për Gjuhë-Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, Lavdie Bakiu, hap një dritëz shprese për të gjithë ata që shkrimin dhe leximin e kanë pjesë të pandashme të tyre, por që akoma nuk kanë gjetur një mënyrë për ta shpërfaqu atë.
Në një intervistë të para pak kohëve për “Gazetën Shqiptare”, Bakiu pohon se së shpejti ka dëshirë ta sjelli vistën në formatin e zakonshëm (në të prekshmin). Me ndjeshmërinë e thellë të një poeteje, ajo tregohet entuziaste për mënyrën se si është pritur revista në fare pak kohë. “Andrra e jetës” është revista më e re letrare.
Prej sa kohësh e kishe menduar krijimin e një reviste të tillë, që u jep ze talenteve të reja?
Një revistë letrare ka qenë prej kohësh në projektet e mia, ndoshta prej 2-3 vitesh. Revista letrare sot ka shumë, dhe mjaft të mira, ndaj të krijosh një revistë të re, në një kohë ku je pothuaj e panjohur për lexuesin, është sfidë. Megjithatë, jam e kënaqur që ka ngjallur interes, jo vetëm te të rinjtë, por edhe tek autorë dhe studiues të fushës.
Si është e konceptuar revista?
Do të ketë më shumë studentë të Gjuhë-Letërsisë, të brezave të ndryshëm. Por siç e theksova pak më parë, ne ftojmë edhe ata të rinj që shkruajnë jo vetëm poezi apo prozë, por edhe studime letrare apo gjuhësore.
Ke menduar që përveç formatit të tanishëm ta sjellësh edhe në formatin e zakonshëm (në të prekshmin)?
Po, në fakt, qëllimi kryesor ky është, që të kemi një revistë të botuar, të printuar në letër. Unë jam nga ato dashamirëset e librit që mendoj se librin e prekshëm nuk e zëvendëson asgjë, ndaj shpresoj që një ditë “Andrra e jetës” të jetë në libraritë e kryeqytetit dhe në biblioteka.
Disa mënyra se si të rinjtë mund të bëhen pjesë e revistës “Andrra e jetës”?
Mund të na kontaktojnë në faqen andrraejetes.simplesite.com dhe shkrimet ne i pranojmë në adresën e gmailit: andrraejetes 2021@gmail.com. Kemi dhe një faqe në ‘Facebook’ “revista letrare “Andrra e jetës”. Çdo komunikim për botime bëhet nëpërmjet gmailit.
Një ftesë për studiuesit dhe talentet e rinj që letërsinë e kanë ushqim për shpirtin?
Ftesa mbetet e hapur për bashkëpunim si për të rinjtë që shkruajnë, si për studiuesit tashmë të njohur. Është një revistë në hapat e para që po ndërtohet me shumë përkushtim dhe pasion duke premtuar të jetë e denjë për të qenë pjesë e botës letrare. Mban një titull që të gjithëve na kujton veprën e Mjedës “Andrra e jetës”. Kjo sepse Mjeda është një figurë shumëdimensionale në letrat shqipe, ndaj ne vendosëm ta publikojmë revistën me 1 gusht, ditën e kalimit të tij në amshim.
Letërsia/gjuhësia mund të jenë andrra e jetës për shumë dashurues të librave, andrra e jetës për mua personalisht, ndaj ky titull përmbledh ëndrrat tona që lidhen me shkrimin, botimin, Shpresoj që një ditë “Andrra e jetës” të jetë shtëpia e ëndrrave të realizuara të krijuesve dhe studiuesve të rinj, që të bëhet një revistë periodike në botën letrare.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."