
TIRANË– Mbrëmjen e djeshme, shumica e mediave në vend publikuan një lajm të rremë për arratisjen e ish-deputetit Alqi Bllako.
Ky lajm u përhap me shpejtësi edhe pas një foto në avion, të publikuar nga avokati i Bllakos. Mediat e mëdha e të vogla vërshuan me lajme për arratisjen e Bllakos pa e konfirmuar këtë informacion.
Ka qenë Policia e Shtetit e cila ka bërë të ditur se ish-deputeti ishte vetëdorëzuar që prej mbrëmjes së djeshme në Drejtorinë Vendore të Policisë, sipas procedurave.
“Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”- njofton Policia.
Kjo nuk është hera e parë që mediat në vend të prirura për klikime kanë abuzuar me të bërit gazetari dhe duke përhapur dezinformimin dhe lajmet e rreme.
Për çfarë akuzohet Alqi Bllako?
Bllako akuzohet në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish- Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj.
Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."