Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin francez për marrëveshjen me Bullgarinë.
Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim. Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.
Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.
Çfarë përmban propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.
Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.
Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.
Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.
Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.
Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.
Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.
Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.
Çfarë është konferenca e parë ndërqeveritare?
Konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri-Maqedoni e Veriut do të mbahet të martën, ku nisin zyrtarisht edhe bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në konferencë mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore. Këto korniza përcaktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Komisioni do të fillojë menjëherë punën e nevojshme përgatitore.
Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet konferencë ndërqeveritare.
Faza e parë përfshin shqyrtimin rigoroz të legjislacionit të vendit kandidat; negociatat pastaj vazhdojnë në mënyrë metodike përmes një sërë legjislacioni të BE-së, të cilin vendi kandidat duhet të miratojë, zbatojë dhe zbatojë.
Negociatat shtrihen edhe në të drejta dhe detyrime të tjera që të gjitha Shtetet Anëtare duhet të pranojnë – këto njihen si Community acquis.Negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë përpara se një shtet i ri anëtar të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Reformat politike dhe ekonomike të kryera nga vendi kandidat monitorohen dhe vlerësohen rregullisht dhe ritmi i negociatave përcaktohet nga rezultatet. Vetëm kur të gjitha palët janë të kënaqura, procesi përfundon me nënshkrimin dhe ratifikimin e një Traktati të Aderimit.
Gjatë procesit të negociatave për anëtarësim, kandidatët dhe vendet kandidate potenciale mund të marrin mbështetje përmes Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA). Kjo përfshin një sërë programesh ndërkufitare me shtetet anëtare të BE-së, të cilat pasqyrojnë nga afër funksionimin e fondeve strukturore. Negociatat e anëtarësimit janë aktualisht në vazhdim me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Negociatat janë hapur edhe me Islandën, por aktualisht janë në pritje.
Elementët e negociatave për çdo kapitull
Screening – Komisioni bën një ekzaminim të detajuar, së bashku me vendin kandidat për secilin kapitull për të përcaktuar sa është përgatitur vendi në këtë fushë. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet vendeve anëtare në formën e një raporti analizues. Konkluzioni i këtij raporti është një rekomandim i Komisionit për të hapur direkt negociatat apo për të vendosur disa kushte të caktuara – fillimisht duhen arritur “standardet e hapjes” ose siç quhen opening benchmarks.
Pozitat e negociimit – para se negociatat të nisin, vendi kandidat duhet të tregojë pozicionin e tij dhe Komisioni duhet të përcaktojë ose të përshtasë një qëndrim të përgjithshëm. Për shumicën e kapitujve Komisioni do të vendosë standarde përfundimtare të cilat duhet të arrihen patjetër nga vendi kandidat që negociatat të konsiderohen të përfunduara. Në rastin e Shqipërisë, mendohet të jetë një start i mirë fakti që është bërë një punë paraprake sa i përket Screening (analizës) me kapitujt që do të hapen të parët, 23 dhe 24 dhe që përfshijnë gjyqësorin dhe reformën nëdrejtësi.
Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformave dhe përafrimi i legjislacionit të vendit me atë të BE-së. Edhe pse nuk ka një publikim institucional sa i përket përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, mendohet që kjo shifër të mos e kalojë 30%. Duhet marrë parasysh që kur një kapitull të konsiderohet i mbyllur, legjislacioni i asaj fushe duhet të jetë përafruar 100%.
A përfitohen fonde?
Nëse Shqipëria hap negociatat, a përfiton fonde shtesë me qëllim përgatitjen për negociatat e anëtarësimit? Strategjia e Zgjerimit 2018 e KE-së parashikon natyrisht burimet financiare për një anëtarësim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit. Instrumenti i Paraaderimit (IPA) është instrumenti që u vjen në ndihmë financiarisht këtyre vendeve në përgatitet e tyre për anëtarësim dhe lehtëson bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar.
Gjatë viteve 2007-2017, KE ka investuar më shumë se 8.9 miliardë euro në rajon nëpërmjet IPA-s. Duke iu referuar përvojave të mëparshme të anëtarësimit, një zhvendosje graduale nga etapa e para-anëtarësimit tek ajo e të qënit vend anëtar, duhet të jetë e mirëparashikuar, në mënyrë që të mundësojë zhvillimin kapaciteteve për të përthithur fonde. Pra, e thënë shkurt, nëse hapat e Shqipërisë në periudhën e negociatave do të jenë të qarta dhe të sigurta, edhe mundësitë për të përthithur më shumë fonde, do të rriten. Gjithçka varet nga ecuria e reformave dhe përmbushja e kritereve të anëtarësimit.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."