
Me 103 vota pro Kuvendi i Shqipërisë i dha guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Genti Sejko një mandat të dytë 7 vjeçar në krye të institucionit.
Sejko u propozua me dekret nga presidenti Ilir Meta dhe kaloi pa debate në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa duket se është votuar masivisht nga deputetët e pranishëm në sallë. Forcat politike në vend edhe pse të ndara me njëra tjetrën, duket se kanë gjetur konsensus në zgjedhjen e Sejkos.
Në raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvend thuhet se pasi Sejko u dëgjua në një seancë nga deputetët ata ishin unanimisht dakord për miratimin e dekretit të Presidentit.
“Në përfundim të diskutimeve, të gjithë anëtarët e Komisionit bazuar në nenin e 111, pikat 4 dhe 5 të Rregullores së Kuvendit, ishin dakord se kandidatura e propozuar nga Presidenti i Republikës në detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i plotëson kushtet ligjore dhe ia përcjell për vendimmarrje seancës plenare sipas projektvendimit bashkëlidhur këtij raporti”, thuhet në raport.
Sejko u zgjodh Guvernator i Bankës së Shqipërisë në shkurt të vitit 2015, pas shkarkimit nga detyra të Adrian Fullanit, i cili edhe u arrestua pas një skandali me vjedhjen e parave që dërgoheshin për shkatërrim. Fullani më pas u shpall i pafajshëm në gjykatë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."