
KRUJË– Maeda, nëna e 4 vajzave dhe 1 djali jetonte në një fshat në periferi të Thumanës, por prej pak muajsh është zhvendosur bashkë me familjen në një nga apartamentet e reja të ndërtuara në qendrën e njesisë administrative të Thumanës. Banesa ku jetonte më parë u shemb nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019.
“Njeriu mëson gjithë jetën, pasi gjithmonë ka vend për përmirësim. Duket e çuditshme, por modele që nuk i kisha praktikuar në 2 dekada si prind, kam nisur t’i zbatoj tani me fëmijët e mi. Përjetuam traumë. Fëmijët ende nuk e kanë marrë veten emocionalisht. Shpesh më kërkojnë që ta lë derën e dhomës së gjumit hapur, pasi kanë frikë”, – thotë Maeda.
Një sërë ndërhyrjesh janë ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone, të cilët pas tërmetit u përballen edhe me pandeminë COVID-19. Projekti “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente” prej rreth 1 viti ka mbështetur 115 familje në Bashkinë Krujë. Projekti që zbatohet nga World Vision Albania në njesitë administrative Thumanë, Bubq dhe Fushë-Krujë, përveç ndihmës për hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik më të qendrueshëm, po i mbështet familjet edhe me trajnime e këshillim që të përballojnë më mirë situatat emergjente në të ardhmen.
Në kuadër të projektit “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente”, 57 prindër në bashkinë Krujë janë mbështetur me aktivitete psiko-sociale dhe mjete didaktike për realizimin e aktiviteteve me fëmijët në familje.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."