
UN Women në bashkëpunim me Bashkinë Krujë, si pjesë e përpjekjeve për rindërtim pas tërmetit të vitit 2019, ka iniciuar ndërhyrjen për mbështetjen ekonomike dhe fuqizimin e grave në Bashkinë Krujë në zinxhirin e vlerës së artizanatit. Ndërhyrja zbatohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural në kuadër të Projektit me Ndjeshmëri Gjinore për Rikuperimin dhe Rindërtimin pas Tërmetit, mbështetur nga UN Women me fonde të qeverisë suedeze.
Kjo ndërhyrje synon të mbështesë gratë, veçanërisht ato që gjenden në situata të vështira sociale dhe ekonomike, dhe të prekura nga dëmet e tërmetit të vitit 2019, të cilat shprehin interes të angazhohen në punësim ose vetë-punësim në zinxhirin e vlerës së artizanatit, të marrin pjesë në prodhimin dhe tregtimin e produkteve si dhe të fitojnë më shumë të ardhura e të gëzojnë siguri ekonomike. Ndërhyrja do të krijojë për gratë e përfshira mundësinë e të punuarit së bashku në fushën e artizanatit duke siguruar zhvillimin e mëtejshëm të sektorit dhe kalimin e trashëgimisë tek brezi i ri i artizaneve, përmirësimin e proçeseve të punës, rritjen e cilësisë, diferencimin dhe promovimin në treg të produkteve përfundimtare.
Gratë e përzgjedhura do të mbështeten në vazhdimësi në proceset e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve artizanale dhe tradicionale të zonës, duke filluar nga organizimi në grupim. Programi do t’i mbështesë me një cikël të plotë trajnimesh për të marrë njohuritë e duhura në prodhimin, diferencimin, dhe tregtimin e produkteve artizanale. Artizanet e reja do të mbësheteten dhe me pajisjet dhe materialet e nevojshme për t’u përfshirë dhe angazhuar në këtë sektor.
Kush mund të aplikojë?
Të gjitha gratë që dëshirojnë dhe kanë mundësinë të përfshihen në prodhimin e produkteve artizanale. Gratë e dëmtuara materialisht apo ekonomikisht nga tërmeti i 2019 që bëjnë pjesë në kategoritë e grave të papuna, gravekryefamiljare, grave në vështirësi financiare, grave nga grupet e pafavorizuara, apo grave të cilat kanë vuajtur dhunë në familje, kanë përparësi në procesin e përzgjedhjes. UN Women në bashkëpunim me pushtetin vendor do të kryejnë në mënyrë transparente përzgjedhjen e kandidateve të interesuara në këtë program.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."