
TIRANË– Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, që i shpëtoi atentatit në mbikalimin e Shkozetit më 1 nëntor të vitit 2019, i nënshtrohet sot procesit të Vettingut.
Këtë të premte, Ndoja do të përballet me me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i Vettingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Olsi Komiçi, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.
Si ndodhi atentati ndaj prokurorit?
Arjan Ndoja, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës. Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja. Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mburoja e prokurorit Ndoja në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë një javë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë. Pas hekurave për këtë ngjarje janë Arjol Halilaj dhe Rejdan Rraja. Vetë Ndoja ka pranuar para trupit gjykues se pavarësisht personave me të cilët ndodhej ai në makinën ditën që u qëllua, shënjestra ka qenë ai vetë. Sipas Ndojës plumbat janë qëlluar nga ana ku ai ishte ulur si pasagjer dhe kjo gjë tregon se shënjestra ka qenë ai vetë. Ai është shprehur se nuk ka pasur asnjë shqetësim para atentatit përveç deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama e zëvendësi i tij në atë kohë, të cilët e etiketuan si anëtar të ‘kap ça t’kapësh’ (KÇK). Pas atentatit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkoi hetim disiplinor ndaj Ndojës për sjellje që bien në kundërshtim me statusin e magjistratit.
Pasuria e Arjan Ndojës
Sipas Birn, në deklarimin për të herë të parë në vitin 2003, prokurori Arian Ndoja deklaronte pasuri me vlerë 200 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e tij familjare kap vlerën e 129.9 milionë lekëve, duke shënuar një rritje me 649 herë. Në fund të vitit 2016, Ndoja zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 44.8 milionë lekë, sende me vlerë të veçantë prej 21.5 milionë lekësh, likujditete bankare prej 12 milionë lekësh, automjete me vlerë 8.5 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 633 mijë lekësh. Ndoja deklaron gjithashtu huadhënie me vlerë 42.2 milionë lekë si dhe pjesë në kapital prej 40 mijë lekësh. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 142.8 milionë lekë, nga të cilat 73% kanë si burim aktivitetin privat të Ndojës dhe bashkëshortes së tij. Të ardhurat nga paga të subjektit dhe familjarëve zënë 10% të totalit, ndërsa të ardhurat nga shitja e pasurive të paluajtshme gati 9%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 12 vite, dy prej deklaratave rezultojnë me probleme. Subjekti Arian Ndoja gjatë periudhës deklaruese 2004-2016 rezulton me burime të pamjaftueshme financiare në dy vite; në vitin 2010 në shumën 10,376,166 lekë dhe në vitin 2016 në shumën 31,396,034 lekë. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi një sërë “flamujsh të kuq” që lidhen me huadhëniet dhe transaksionet me pasurinë.
Arjan Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u largua nga prokuroria dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem. Para Fillimit të vitit 2008 deklarohet pasuri e shtuar në vlerën 86,851,831 lekë (konvertuar me kursin e vitit), me burim financiar të ardhurat nga ushtrimi i aktivitetit të avokatisë në total 750,000 euro. Në deklaratën Para Fillimit të Detyrës 2008 deklaron huadhënie me kontratë noteriale një personi fizik në shumën 75,000 euro. Po ashtu në vitin 2016, i jep hua pa interes kushëririt 88,000 euro si dhe 163,855 euro me kontratë noteriale për huadhënie shoqërisë “Artel 04” dhe një shtetasi. Në vitin 2016 subjekti ka nënshkruar një deklaratë noteriale për detyrim monetar në shumën 159,520 euro nga shtetasi me inicialet F.B. për shkak të mospërmbushjes së detyrimit sipas kontratës së porosisë.
Bashkëshortja e Ndojës në vitin 2012 deklaron të ardhura si juriste në shoqërinë “Rafaelo 2”, e njëjta shoqëri me të cilën në vitin 2016 nënshkruhet kontratë sipërmarrje për njësi shërbimi dhe apartamente në Shëngjin. Objekti i kësaj kontrate sipërmarrje është i paqartë, pasi i referohet kontratës së vitit 2015, por në deklaratën Periodike/Vjetore 2015 nuk ka të dhëna lidhur me këtë investim. Në vitet e mëparshme përmenden kontrata shpëmbimi dhe kontrata dhurimi në emër të bashkëshortes, por është e pamundur të bëhet lidhje logjike e transaksioneve me pasuritë e paluajtshme për shkak të informacionit të paplotë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."