
Kryeministri Edi Rama në konferencë për shtyp me 1 korrik 2022.
TIRANË – Kryeministri Edi Rama është përplasur përsëri ditën e sotme me një gazetar në konferencën për mediet që mbajti nga kryeministria.
Gazetari Klevin Muka, i drejtoi një pyetje ministres Olrta Xhaçka që ishte bashkëshoqëruese e Ramës në konferencë. Ai i ka përmendur kodin etik për këshillin e ministrave, i cili i ndëshkonte individët që e shkelin atë.
Teksa i është drejtuar duke e pyetur nëse e ka zbatuar kur ka takuar bashkëshortin e saj që është një biznesmen dhe investitor strategjik, Rama ka ndërhyrë duke mos lejuar ministren t’i përgjigjet.
Rama tha se gazetari duhet të kalojë në riedukim për shkak të thyerjes së etikës, dhe se përgjigjen e radhës do ta marrë pas tre muajsh, në tetor.
Debati:
Gazetari: Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju, në 29 prill ka hyrë në fuqi kodi i ri etik për këshillin e ministrave i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe të takohen vetëm në kushte kur janë në prani të dy punonjës të administratës. Ju e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik nënë shoqërinë e punonjësve të administratës apo e keni shkelur?”
Edi Rama: Ti do kalosh një riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në konferenca shtypi.
Gazetari: Kodi etik a do zbatohet po pyes unë dhe ju keni thënë që do ketë sanksione për ata ministrat…
Edi Rama: Kjo është një tjetër shkelje të kodit etik të gazetarit po të them që komunikimi ishte perfekt, pyetja siç e deshi vetë dhe përgjigja shumë korrekte. Kjo do të jetë përgjigja për çdo pyetja pa asnjë etikë. Ka një proces që quhet riedukim për tre muaj. Përgjigjen e radhës do ta marrësh në tetor.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."