BERAT– Është arrestuar mbrëmjen e djeshme, ish drejtuesi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode, i dënuar me 12 vite burg për lidhje me grupin e Habilajve.
Bode u arrestua në banesën e tij në Berat pas informacioneve në rrugë operative, 4 ditë pas kthimit nga Anglia.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar Bodes masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve” dhe e ka dënuar me 12 vite burg.
Kujtojmë që edhe ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, po vuan dënimin me burg për përfshirjen me grupin Habilaj.
GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."