KRUJË– Policia e Durrësit në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin e koduar “Çinari”, për goditjen e veprimtarisë në fushën e narkotikëve.
Ky operacion u zhvillua bazuar në informacionet e siguruara se në lagjen “Abaze”, në qytetin e Krujës, në një magazinë, kultivoheshin bimë narkotike. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e magazinës me sipërfaqe rreth 400 metër katror, kanë gjetur dhe sekuestruar 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, me anë të llambave dhe pajisjeve të tjera, që furnizoheshin përmes një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Gj. G., 23-vjeç, banues në Shkodër dhe G. P., 18-vjeç, banues në Krujë, të cilët janë kapur në ambientet e magazinës;
– A. H., 22-vjeç, banues në Krujë, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së dhe L. M., 31-vjeç, banues në Fushë Krujë, me detyrë lexues i aparatit matës, pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
-V. B., 38-vjeç, banues në Krujë, pronari i banesës;
-D. V., 32-vjeç dhe L. V., 31 vjeç, banues në Krujë (vëllezër), bashkëpunëtorë me shtetasin V. B.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Në drejtimim e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."