TIRANË– Policia e Tiranës ka finalizuar këtë të enjte operacionin e koduar policor “Lastra”, në kuadër të të cilit u sekuestruan 1 milion e 75 mijë euro.
Policia, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas do tentonte të hynte në Shqipëri, me sasi të konsiderueshme kartëmonedhash të falsifikuara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lastra”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit kamerunas J. N., 53-vjeç, me leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, në bagazhet e këtij shtetasi janë gjetur sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara, lastra, letër speciale për prodhimin e kartëmonedhave euro dhe një aparat celular.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtatas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë në vendin tonë, do të hidhte në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.
Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."