
Foto ilustruese.
LEZHË– Një atentat me armë zjarri ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 14:00 në Lezhë.
Ka qenë 43-vjeçari Aleksandër Deda i cili ka denoncuar në Polici se në afërsi të një lokali në dalje të qytetit të Lezhës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, i cili nuk ka marrë asnjë dëmtim.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe krehjes së zonës nuk kanë konstatuar gëzhoja. Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, si dhe për gjetjen dhe fiksimin e çdo provë që mund të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Po kush është 43-vjeçari, biznesmeni i disa atentateve?
Aleksandër Deda në vitin 2020 i ka shpëtuar një tjetër atentati me armë zjarri. Ai mbeti i plagosur në gjoks, ndërsa u qëllua teksa lëvizte me makinën e tij. Pavarësisht se nga atentati u plagos në gjoks, Deda nuk është ndaluar, por ka shkuar vetë me makinën e tij në spitalin e Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Aleksandër Deda i cili njihet si biznesmen në zonën e Lezhës, dhe jo si personazh problematik, pasi nuk kishte pasur probleme me policinë. 43-vjeçari njihet edhe me nofkën ‘Leksi i Druve’, megjithatë nuk dihen arsyet se përse ndaj tij është planifikuar atentati.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."