KRUJË– Policia e Krujës ka finalizuar ditën e sotme operacionin e koduar “Kroi i Madh”, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Në kuadër të operacioni policor të koduar “Kroi i Madh” u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: H. K., 53-vjeç dhe S. K., 19-vjeç, të dy banues në Krujë (babë e bir).
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Kroi i Madh, në dy sipërfaqe toke në afërsi të njëra-tjetrës, kanë gjetur dhe asgjësuar bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat dyshohet se janë kultivuar nga 53-vjeçari dhe djali i tij.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, u gjetën fidanë të dyshuar narkotikë, të kultivuar në kubikë, dhe rreth 3.7 kg lëndë e dyshuar narkotike në formë boçeje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe aparatet celulare të 2 shtetasve të arrestuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."