GJIROKASTËR– Policia e Gjirokastrës ka arrestuar ditën e sotme 2 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër në kuadër të operacioneve të koduara “Road Guard 39” dhe “Road Guard 40”.
Si rezultat i një pune hetimore disamujore, nën drejtimin e Prokurorisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. H., 45 vjeç dhe L. J., 49 vjeç, banues në Krujë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. R., 42 vjeç banues në Sarandë.
Arrestimi i shtetasve G. H. dhe L. J. u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Shkalla e zezë”, duke transportuar me automjetet përkatëse tip “Ford”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Shpallja në kërkim e shtetasit E. R., 42 vjeç, banues në Sarandë, u bë pasi sapo ka vënë re shërbimet e Policisë që ishin në ndjekje të tij, është larguar me shpejtësi dhe në hyrje të qytetit të Tepelenës ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit E. R., si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."