
LUSHNJE- Një 63-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Lushnje pasi kishte siguruar mjetet për të kryer një vrasje.
Policia, pas njoftimit të marrë nga qytetarët se në një pallat në lagjen “Çlirimi”, ndodhej një person i maskuar me kapuç, menjëherë shkuan në vendngjarje dhe përpara derës së shtetases A. B., 50-vjeçe, konstatuan shtetasin E. E., të maskuar, me kapuç në kokë.
Gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë(thikë) dhe një palë dylbi.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. E., 63-vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se shtetasja A. B., i kishte marrë hua një sasi parash shtetasit E. E.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."