EKUADOR- Një tjetër shqiptar është ekzekutuar në Ekuador, brenda një lokali në veri të Guayaquil, ‘kryeqendra’ e trafikimit të kokainës.
Viktima është Ergys Dashi, 34-vjeç, nga Durrësi, i cili është qëlluar teksa ndodhej i ulur brenda në lokal, ndërsa nga plumbat ka mbetur e plagosur edhe 26-vjeçarja Angie Romero, e cila ishte ulur në tavolinën ngjitur me të.
Ndaj 34-vjeçarit është qëlluar plot 20 herë, ku disa prej plumbave e kanë kapur në kokë dhe në trup duke i marrë jetën në vend. Dyshohet se 34-vjeçari është vrarë për prishje në pazaret e drogës.
Si ndodhi ngjarja?
Ekzekutimi ka ndodhur një ditë më parë, 22 janar në orën 19:00, kur një nga autorët ka hyrë brenda lokalit me synimin për të ekzekutuar Ergys Dashin, ndërsa tjetri e priste jashtë me motor për ta larguar. Autori mbante një buqetë me lule në duar, për t’u ruajtur nga kamerat e sigurisë së barit, dhe teksa i është afruar me vrap tavolinës ku ndodhej Dashi ka nxjerrë armë dhe ka qëlluar për vdekje durrsakun, ndërkohë që miku në tavolinë me Dashin ka tentuar të qëllojë autorin me karrige, por është zmbrapsur pasi autori vijonte të qëllonte me armë edhe teksa largohej me vrap jashtë lokalit. Në momentin e ekzekutimit, ka pasur edhe klientë të tjerë në lokal, të cilët kanë mbetur të tmerruar nga breshëria e armës. Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 gëzhoja. Sipas mediave në Ekuador, dyshohet se Dashi është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe se prishja e pazareve të drogës të jetë shkak i ekzekutimit të tij nga bandat rivale.
Kush ishte Ergys Dashi?
Ergys Dashi kishte lidhje me Plarent Dervishaj, kunati i Lul Berishës dhe Eldi Dizdarin, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të strehuar në Dubai, si vendi ku strehohen kriminelët shqiptarë për shkak se qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje ekstradimi me autoritete në Dubai. Dervishaj ka qenë i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit, ndërsa Eldi Dizdari njihet për lidhjet mes bosëve të drogës në Amerikën Latine dhe kishte lidhje shumë të forta me Ndraghetën.
E madje, Dashi në vitin 2014është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona. Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3-vjeçar nga autoritete italiane në Pulia. Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara. Droga shitej me një çmim konkurrues, si për të lejuar fitime të mëdha për ata që e blenë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."