
TIRANË– Kreu i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pak më parë, pas atentatit me 3 viktima në Fushë-Krujë.
Alibeaj tha se shteti është dorëzuar përpara krimit dhe se shqiptarët ndihen të pasigurtë. Alibeaj tha më tej se PD kërkon hetim të plotë dhe të thelluar të ngjarjes së sotme.
Enkelejd Alibeaj: Vrasja e trefishtë në mes të rrugës nacionale në Fushë-Krujë, është prova e rradhës se shteti i është dorëzuar krimit dhe bandave të cilat janë sponsorizueset më të mëdha të pushtetit të Rilindjes që me armë e para të pista blenë e grabitën votat e shqiptarëve. Asnjë justifikim i asnjë ministri nuk vlen sot përballë pasigurisë së jetës së shqiptarëve. Bandat sot sfidojne haptas atë që mund të konsiderohet shtet, nuk njohin pushtetin e policisë duke e shndërruar Shqipërinë një vend nën pushtetin e terrorit kriminal. Shqiptarët e kanë të qartë se kjo qeveri jo vetëm është përgjegjëse për llumin kriminal ku është zhytur vendi, sikundër segmente të saj janë bashkëpunëtore të afërta me bandat kriminale. Pas çdo skandali të kësaj qeverie fshihet nje bandit që është pasuruar me fonde publike. Pas çdo procesi elektoral fshihen banda që kanë blerë vota për llogari të Edi Ramës. Kjo situatë e rënduar por dhe e denoncuar rast pas rasti nga PD kërkon hetim të plotë dhe të thelluar të çdo krimi si i sotmi. Nuk duhet shumë për të kuptuar se tentakulat e pushtetit janë sot të shtrira në çdo ngjarje kriminale. Sikundër largimi i Edi Ramës që erdhi në pushtet dhe e mban atë me bandat është rruga e vetme për të shpëtuar shqiptarët dhe Shqipërinë nga kriminalizimi.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."