TIRANË– Një 26-vjeçar është arrestuar ditën e djeshme nga Policia e Tiranës he Forca e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të operacionit të koduar “Driving”
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Erald Doku, 26-vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin Erald Doku dhe pasagjer shtetasin S. R., 59-vjeç, në Kashar, shërbimet e Policisë, gjetën një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e blinduar, që drejtohej nga shtetasi Erald Doku.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. R., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, bizhuteri të ndryshme floriri, për të cilat ky shtetas nuk dispononte dokumentacionin përkatës, si dhe një shumë parash. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e burimit të sendeve me vlerë dhe të shumës së parave.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."